Vizitori i fundit


Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar i Cili e krijoi Ademin prej balte. Paqja, shpëtimi dhe
mëshira e Allahut qofshin mbi profetin tonë Muhamedin [salallahu alejhi ue selam] me të cilin
Allahu ndriçoi mendjet dhe shikimet. Paqja, mëshira dhe shpëtimi i Allahut qofshin gjithashtu
mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e tij dhe ndjekin
udhëzimin e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëllai im i dashur!
A e di ti se kush është vizitori yt i fundit?
A e di ti se çfarë dëshiron ai në këtë vizitë dhe këtë takim me ty?
A e di ti se çfarë kërkon ai prej teje?
Ai me të vërtetë nuk ka ardhur nga lakmia për pasurinë tënde… as nuk ka ardhur të të
shoqërojë në ngrënien dhe pirjen tënde…. as nuk ka ardhur që ta ndihmosh në shlyerjen e
borxhit…. as nuk kërkon që të ndërmjetësosh për të… as nuk kërkon që tʹi lehtësosh ndonjë
çështje që e ka të vështirë kryerjen e saj.
Me të vërtetë ka ardhur ky vizitor tek ti për një çështje të caktuar, të cilën nuk ke mundësi ti dhe
as familja jote me të afërmit e tu, bile edhe sikur banorët e tokës të mblidhen nuk kanë mundësi
ta pengojnë realizimin e kësaj çështjeje.
Dije se edhe në qoftë se do banosh në pallate të larta apo kulla të fortifikuara, edhe në qoftë se
ke rojë dhe mburojë nuk do mund të ndalosh dot këtë vizitor që të futet tek ti dhe të bashkohet
me ty, ashtu që tʹi lajë hesapet me ty.
Me të vërtetë ky vizitor që të hyjë nuk ka nevojë për dyer apo të marrë leje dhe as nuk ka nevojë
që të lë takim para se të vijë, përkundrazi ai vjen tek ti në çfarëdo lloj kohe dhe në çfarëdo lloj
gjendjeje që të jesh, qofsh i zënë apo në kohë të lirë, qofsh i sëmurë apo i shëndoshë, qofsh i
varfër apo i pasur, qofsh udhëtar apo në qëndrim.
Dije – o vëlla i im i dashur – se ky vizitor nuk ka zemër që të preket apo të ndikohet nga fjalët e
tua dhe e qara jote, apo nga klithmat dhe lutjet e tua. Ai nuk të lë kohë qoftë edhe të shkurtër që
tu kthehesh llogarive të tua dhe të shikosh në çështjen tënde. Ai gjithashtu nuk pranon dhuratë
dhe as ryshfet sepse pasuritë e gjithë botës tek ai nuk vlejnë aspak dhe nuk ka gjë që ta kthejë
nga ajo çështje për të cilën ka ardhur.
Ai me të vërtetë të do ty, dhe asgjë tjetër përveç teje.
Të do ty të tërin dhe jo një pjesë prej teje. Ai do mbarimin dhe zhdukjen tënde, do nxjerrjen dhe
marrjen e shpirtit tënd, do shkatërrimin dhe vdekjen e trupit tënd.
E, pra, ai është engjëlli i vdekjes!!
Allahu i Lartësuar thotë :
ʺThuaj: Engjëlli i vdekjes i cili është caktuar për ju jua merr shpirtërat e pastaj do të ktheheni
tek Zoti juaj.ʺ [es‐Sexhde: 11]
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:
ʺDerisa kur tʹi vijë ndonjërit prej jush vdekja e tʹia marrin shpirtin atij të dërguarit tanë
[engjëjt e vdekjes] dhe ata nuk bëjnë kurrfarë lëshimi.ʺ [el‐ Enamë: 61]
Treni i moshës
Vëllai im i dashur! A nuk e di se vizita e engjëllit të vdekjes është diçka që ka marrë fund [e
vendosur], caktim i mëparshëm, sado që mund të zgjatet jeta jote apo të shkurtohet?
A nuk e di se ne të gjithë jemi udhëtarë në këtë dunja dhe se ky udhëtim po afrohet drejt fundit
të tij duke lënë pas çdo gjë?
A nuk e di se cikli i jetës për pak sa nuk do të ndalojë dhe se treni i moshës i është afruar
stacionit të tij të fundit?
Dëgjuan disa njerëz të mirë të qarën për një të vdekur dhe thanë: Sa e çuditshme puna e këtij
populli; Udhëtarë që qajnë për një udhëtar i cili mbërriti shtëpinë e tij!!
Ki kujdes – vëllai im i dashur – që të mos jesh prej atyre që:
ʺSi do të jetë atëherë puna e tyre kur engjëjt tʹua marrin shpirtrat duke i goditur fytyrave dhe
shpinave të tyre.ʺ [el‐Muhamed: 27]
Ose prej atyre:
ʺTë cilët duke qenë mizorë të vetvetes së tyre engjëjt ua marrin shpirtin e ata shprehin
dorëzimin [duke thënë]: Ne nuk ishim që bëmë ndonjë të keqe! [u jepet përgjigja]: Po,
Allahu e di shumë mirë atë që e punuat. Prandaj hyni në dyert e xhehenemit, aty do të jeni
përgjithmonë, e sa vend i keq është ai i kryelartëve.ʺ [en‐Nahl: 28‐29]
Vëllai im i dashur!
A nuk e di se vizita e engjëllit të vdekjes tek ti do të thotë mbarim i jetës tënde, ndërprerje e
punës tënde, palosje e fletushkave të veprave tua?
A nuk e di se pas kësaj vizite nuk ke mundësi të përfitosh qoftë edhe një të mirë të vetme. Nuk
ke mundësi të falesh qoftë edhe dy rekate namaz. Nuk ke mundësi të lexosh qoftë edhe një ajet
të vetëm prej Librit të Allahut. Nuk ke mundësi të bësh tesbih [subhanallah] ose tahmid
[elhamdulilah] ose tahlil [la ilahe ila llah] ose tekbir [Allahu ekber] ose istigfar [estagfirullah],
qoftë kjo edhe një herë e vetme.
Nuk ke mundësi të agjërosh apo të japësh sadaka, qoftë kjo edhe diçka e vogël. Nuk ke mundësi
të bësh Haxh, e as Umre. Nuk ke mundësi më të sillesh mirë me prindërit, të afërmit ose fqinjtë.
Për të gjitha këto nuk ke mundësi, sepse kaloi koha e punës dhe ka mbetur vetëm llogaria dhe
shpërblimi për të mirën apo të keqen.
Allahu i Lartësuar thotë:
ʺDerisa kur tʹi vijë ndonjërit prej atyre vdekja, e ai thotë: O Zot im, më kthe që të bëj vepra të
mira e të kompensoj atë që lashë mangët. Jo, kurrsesi! Ajo është vetëm një fjalë që ai e flet
dhe ata kanë para tyre një perde [pengesë ndarëse] deri në Ditën kur ringjallen.ʺ [el‐
Muʹminun: 99‐100]
Prandaj, o vëllai im! Çfarë ke përgatitur për takimin me engjëllin e vdekjes? Çfarë ke përgatitur
për përballimin e vështirësive që do hasësh në varr… në ringjallje… në grumbullimin para
Allahut… në dhënien e librit [nga e djathta apo nga e majta]… në kalimin e urës së xhehenemit
dhe në qëndrimin para të Plotfuqishmit?
Transmetohet nga Adij bin Hatim [radiallahu anhu] të ketë thënë: Thotë Profeti [salallahu alejhi
ue selam]: ʺNuk ka asnjë prej jush Ditën e Gjykimit vetëm se do tʹi flasë atij Allahu i Lartësuar,
pa pasur mes tyre përkthyes. Do të shikojë robi nga e djathta e tij dhe nuk sheh veçse çfarë ka
përgatitur [për këtë ditë], shikon nga e majta e tij dhe nuk sheh veçse çfarë ka përgatitur [për
këtë ditë] dhe shikon përpara tij mirëpo nuk sheh veçse zjarrin përballë fytyrës së tij. Prandaj,
ruajuni prej zjarrit qoftë edhe me një gjysmë hurme [arabe], qoftë edhe me një fjalë të mirë.ʺ
[Mutefekun alejhi]
Pra, o vëllai im i dashur! Kërkoji llogari vetes tënde në vetmi dhe medito në shpejtësinë e
mbarimit të kohës tënde! Puno me mund dhe përpjekje të madhe gjatë kohës së lirë për kohën e
vështirësisë dhe për kohën në të cilën do kesh nevojë për këto vepra të mira. Mendo përpara se
ta bësh një veprim, çfarë do të shkruhet në fletushkën tënde? Ku është pasuria jote që e ke
grumbulluar? A të shpëtoi vallë nga sprovat dhe vështirësitë? Jo, bile do ta lësh atë tek ai i cili
nuk të falënderon për të dhe do paraqitesh me punët e tua para Atij i Cili nuk pranon justifikim.
Si të përgatitemi për vizitorin e fundit?
Vëllai im dashur! Përgatitja për vizitorin e fundit bëhet me disa pika që do tʹi përmendim më
poshtë:
1. Me besim në Allahun e Lartësuar, në engjëjt e Tij, në librat e Tij, në profetët e Tij, në Ditën e
Gjykimit dhe me besim në kadanë [vendimin] dhe kaderin [caktimin] e Tij.
2. Me ruajtje ndaj kryerjes së pesë namazeve sipas formës së kërkuar, në kohët e saj të caktuara
në xhami me xhematin e muslimanëve, duke pasur parasysh frikën, respektin, devotshmërinë
në këto namaze, ndërsa për gruan është më e pëlqyeshme ta falë namazin në shtëpinë e saj.
3. Me nxjerrjen e zekatit të obliguar në kohën e vet, sipas masës dhe formës që ka caktuar
sheriati.
4. Me agjërimin e muajit të ramazanit me besim të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin e
Allahut të Lartësuar për këtë.
5. Me Haxh të rregullt dhe të plotë, sepse haxhi i pranuar nuk ka shpërblimin tjetër veçse
xhenetin dhe një Umre në ramazan është e barabartë me një haxh të kryer me Profetin [salallahu
alejhi ue selam].
6. Me sinqeritet për Allahun e Lartësuar në çdo punë, dhe lënia e rijasë [sy‐e‐faqësisë] siç ka
urdhëruar Allahu i Lartësuar:
ʺE nuk qenë të urdhëruar me diçka tjetër veçse që të adhuronin Allahun sinqerisht dhe tʹia
përkushtonin plotësisht fenë Atij…ʺ [el‐Bejjine: 5]
7. Me dashuri ndaj Allahut të Lartësuar dhe dashuri ndaj profetit të Tij [salallahu alejhi ue
selam] e kjo nuk mund të jetë e plotë veçse me ndjekjen e sunetit [rrugës] së profetit Muhamed
[salallahu alejhi ue selam], siç thotë Allahu i Lartësuar:
ʺThuaj: Nëse jeni që e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua që tʹju dojë Allahu dhe tʹjua falë
mëkatet.ʺ [Ali Imran: 31]
Gjithashtu të duash për hir të Allahut dhe të urresh, të armiqësosh për hir të Tij. Nga kjo rrjedh
dashuria për besimtarët edhe nëse janë të largët [në prejardhje apo vendndodhje] dhe urrejtja
për jobesimtarët edhe nëse janë të afërt. Gjithashtu nga kjo rrjedh dashuria për shokët e Profetit
[salallahu alejhi ue selam] të cilët e ndihmuan dhe e përkrahën atë në kohët më të vështira.
Thotë Profeti [salallahu alejhi ue selam]: ʺKush i shan shokët e mi, mbi atë qoftë mallkimi i
Allahut, i engjëjve dhe i gjithë njerëzimit.ʺ [Trasmeton Taberani dhe e bëri hadithin hasen (të
mirë) Albani]
8. Me frikë prej të Madhërishmit, të punosh me Librin e zbritur [Kuranin], të kënaqesh me atë
që ke, qoftë edhe pak, si dhe të përgatitesh për ditën që do të udhëtosh për tek Zoti yt; Ky është
kuptimi i vërtetë i devotshmërisë [takuasë] siç e thote kete Aliu radijallahu anhu.
9. Me pendim të sinqertë dhe të pastër prej të gjithave mëkateve, duke zbatuar fjalën e Allahut
të Lartësuar:
ʺO ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë…ʺ [et‐Tahrim: 8]
Gjithashtu duke qenë i vendosur në shfrytëzimin e kohës me punë të dobishme si: përmendja e
Allahut, lutje, istigfar [kërkimi i faljes], apo me lloje të tjera adhurimi.
10. Me durim ndaj sprovave dhe me falënderim në bollëk e pasuri, duke pasur parasysh
mbikëqyrjen e Allahut të Lartësuar fshehurazi dhe haptas, si dhe duke shpresuar mirësitë dhe
shpërblimet e Allahut.
11. Me mbështetje të mirë dhe të vërtetë tek Allahu i Lartësuar në çdo çështje, siç thotë Allahu i
Lartësuar:
ʺDhe vetëm Allahut mbështetuni, nëse jeni besimtarë.ʺ [el‐Maide: 23]
12. Duke kërkuar dije të dobishme dhe duke ua mësuar të tjerëve, siç thotë i Lartësuari:
ʺAllahu i lartëson ata që besuan prej jush, ndërsa atyre që u është dhënë dija kanë grada të
larta…ʺ [el‐Muxhadile: 11] Ose, siç thotë në ajetin tjetër Kuranor:
ʺDhe kur Allahu mori zotimin prej atyre që u ishte dhënë Libri: ashtu qe tʹua sqaroni atë
njerëzve dhe të mos e fshihni...ʺ [Ali Imran: 187]
13. Duke nderuar dhe madhëruar Kuranin e Lavdishëm dhe Famëlartë, duke e mësuar atë
përmendësh dhe tʹua mësosh të tjerëve si dhe duke mësuar rregullat dhe ligjet që përmban ai.
Thotë Profeti [salallahu alejhi ue selam]: ʺMë i miri prej jush është ai cili e mëson Kuranin dhe
ua mëson atë të tjerëve.ʺ [Transmeton Buhari]
14. Duke i respektuar prindërit dhe duke u sjell mirë ndaj tyre, gjithashtu duke mbajtur lidhjet
farefisnore me vizita mes njëri tjetrit, si dhe duke bërë mirësi ndaj të afërmit apo atij që e ke larg
duke pasur parasysh fjalën e Profetit [salallahu alejhi ue selam]: ʺKush i gjendet vëllait të tij në
nevojë [e ndihmon atë], Allahu është në nevojën e këtij personi [e ndihmon atë] dhe kush ia
lehtëson besimtarit një vështirësi nga vështirësitë [sprovat] e kësaj bote, ia lehtëson Allahu këtij
personi një vështirësi nga vështirësitë e Ditës së Gjykimit.ʺ [Mutefekun alejhi]
15. Duke u larguar nga zinaja [kurvëria], pirja e alkoolit, vrasja e tjetrit, vjedhja, padrejtësia,
ngrënia e kamatës dhe ngrënia e pasurisë së njerëzve pa të drejtë. Thotë Allahu i Lartësuar:
ʺThuaj: Në të vërtetë gjërat që i ka ndaluar Zoti im janë ato të ndyrat [gjynahet e mëdha]
qofshin haptas apo fshehurazi…ʺ [el‐Arafë: 33]
16. Duke urdhëruar për të mirë dhe duke ndaluar nga të këqijat, si dhe duke i thërritur të tjerët
për në rrugën e Allahut të Lartësuar, me urtësi dhe këshillë të mirë.
17. Duke u pajisur me cilësi të larta të moralit siç janë modestia, mëshira, urtësia, mençuria,
turpi, fjala e butë, përmbajtja nga zemërimi, bujaria, lënia e mendjemadhësisë, lënia e zilisë,
lënia e urrejtjes dhe armiqësisë mes njëri tjetrit. Thotë Profeti [salallahu alejhi ue selam]:
ʺMuslimani është vëlla i muslimanit ‐ Nuk i bën padrejtësi, nuk e poshtëron, nuk e nënçmon
atë. Devotshmëria është këtu [dhe bëri me shenjë në kraharor tre herë]. I mjafton si e keqe robit
që ta nënçmojë vëllain e tij musliman. Çdo musliman e ka të ndaluar ndaj muslimanit tjetër
gjakun, pasurinë dhe nderin e tij.ʺ [Transmeton Muslimi]
18. Duke mos shkuar tek magjistarët, falltarët, parashikuesit e fatit nëpërmjet horoskopit apo
tek ata që pretendojnë se e dinë të fshehtën. Thotë Profeti [salallahu alejhi ue selam]: ʺKush
shkon tek falltari ose tek ai që pretendon se e di të fshehtën dhe i beson fjalëve të tij, ka mohuar
atë që i është zbritur Muhamedit.ʺ [Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhi]
19. Duke qenë i drejtë me njerëzit dhe duke bashkëpunuar me ta në mirësi, punë të mira dhe
frikë ndaj Allahut të Lartësuar. Thotë Allahu i Lartësuar:
ʺKurdoherë që të flisni, thoni të vërtetën edhe nëse është çështja për një të afërmin tuaj
[kundra tij]…ʺ [el‐Enamë: 152]
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:
ʺNdihmohuni me njëri tjetrin në të mira dhe të mbara dhe mos u ndihmoni [bashkëpunoni]
në mëkate dhe armiqësi…ʺ [el‐Maide: 2]
Gjithashtu të rregullosh mes muslimanëve dhe të përmirësosh mes tyre ashtu që të mos ketë
ndarje dhe përçarje mes besimtarëve.
Thotë Allahu i Lartësuar:
ʺMe të vërtetë besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtoni [rregulloni] mes vëllezërve tuaj…ʺ
[el‐Huxhuratë: 10]
20. Ndërsa, për sa i përket grave, ato duhet tʹi përmbahen mbulesës së femrës muslimane; rrobë
e cila mbulon të gjitha pjesët e trupit [që duhen mbuluar]. Kjo rrobë nuk duhet të jetë e ngushtë
e as e tejdukshme, jo tërheqëse dhe të mos jetë e përngjashme me rrobat e jobesimtarëve. Femra
muslimane ka për detyrë tʹi bindet burrit të saj dhe tʹia ruajë pasurinë, nderin dhe fëmijën e tij.
Thotë Profeti [salallahu alejhi ue selam]: ʺNëse gruaja i fal pesë namazet e saja, agjëron muajin e
saj [Ramazanin], e ruan nderin e saj dhe i bindet burrit të saj, i thuhet kësaj gruaje: Futu në
xhenet nga cila derë të duash.ʺ [Trasmeton Ibn Hibbani, e saktësoi atë Albani]
21. Duke ruajtur gjuhën nga gjërat e ndaluara siç është gënjeshtra, përgojimi, thashethemet,
sharja, mallkimi, fjalët e ndyra dhe muzika. Thotë Profeti [salallahu alejhi ue selam]: ʺKush i
beson Allahut dhe Ditës së Fundit, le të flasë fjalë të mirë ose le të heshtë.ʺ [Mutefekun alejhi]
22. Duke u larguar nga lakmia në këtë botë dhe duke i shkurtuar shpresat para se të na vijë
exheli papritmas. Thotë Profeti [salallahu alejhi ue selam]: ʺMe të vërtetë kjo dunja është e
ëmbël, e gjelbër. Allahu do tʹju bëjë juve zotërues të saj ashtu që tʹju shikojë se si do të punoni në
të. Prandaj, ruajuni nga fitneja e dunjasë dhe nga fitneja e grave, sepse me të vërtetë sprova e
parë e bijve të Israilit ishin gratë.ʺ [Transmeton Muslimi]
23. Duke u larguar nga shpikja e gjërave të reja në fe [bidatet], nga praktikimi i tyre, nga
thërritja për në të kotë dhe humbje. Thotë Profeti [Salallahu alejhi ue selam]: ʺKush shpik në
këtë çështjen tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.ʺ [Mutefekun alejhi]
Si përfundim e lusim Allahun e Lartësuar, që të bëjë dobi me këto fjalë. Paqja, shpëtimi dhe
mëshira e Allahut qofshin mbi Profetin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e
tij dhe mbi të gjithë besimtarët.

Përktheu dhe përshtati: Ebu Duxhanah
Murrahem, 1423 [Mars, 2002] - Mburoja.net